Press konferencë e kryetarit të Lëvizjes BESA, Bilall Kasami

Të nderuar përfaqësues të mediave,

Të nderuar qytetarë,

Maqedonia e Veriut ndodhet në një moment kritik si nga aspekti ekonomik ashtu edhe në aspektin politik. Vizitat e miqve ndërkombëtar dhe mesazhet e tyre drejtuar klasës politike në vend dëshmuan qartë se duhet bërë edhe shumë për të përshpejtuar reformat në vend. Fakti që gjithë porositë nga eksponentë të lartë të Bashkimit Evropian janë në drejtim të reformave në gjyqësor dhe vendosjen e fatit të Prokurorisë Publike Special, dëshmon se një nga arsyet pse Maqedonia e Veriut nuk mori datën e paralajmëruar në Qershor të këtij viti është pikërisht ngecja në reformat e gjyqësorit.

Që në Maqedoninë e Veriut kemi gjyqësor të politizuar, gjykata të partizuara, prokurori të korruptuar dhe sistem juridik përgjithësisht joprofesional, këtë e vërtetojnë gjitha raportet e institucioneve relevante ndërkombëtare, por më mirë po e vërtetojnë edhe skandalet e fundit që kanë përfshirë edhe Prokurorinë Publike Speciale.

Duke e vlersuar me seriozitet të madh procesin reformues, me theks të veçantë ligjin e Prokurorisë Publike që ka propozuar Qeveria aktuale, si dhe duke pasur vrejtjet tona thelbësore për përmbajtjen e ligjit për prokurori publike dhe sistemit gjyqësor si tërësi, sot propozojmë iniciativën tonë që sa më shpejt të formohet një Komision shtetëror për reformat në sistemin juridik qoftë nga Parlamenti apo Kryetari i shtetit dhe atë:

Në këtë komision të marrin pjese nga një përfaqësues ekspert të lëmisë në sferën juridike nga Bashkimi Evropian dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga një përfaqësues të partive politike parlamentare të dala nga zgjedhjet e fundit, si dhe ekspertë dhe OJQ me ekspertizë nga sfera e sistemit juridik. Ky Komision do ketë për detyrë të ofrojë zgjidhje profesionale dhe efikase për reformën përfundimtare, të vëzhguar nga SHBA dhe BE. Nga konkluzat e këtij komisioni duhet të rrjedhë edhe procesi i “VETTINGUT” në gjitha instancat sistemit juridik.

Në procesin e “VETTING”-ut vlersojmë se duhet aktivisht të jenë të kyçur përfaqësues të SHBA dhe BE dhe atë jo vetëm me rol si vëzhgues por edhe vendimmarrës. Gjitha qeveritë që nga pavarësia e shtetit agjendë kryesore kanë pasur çështjen e reformave, mirëpo për fat të keq gjitha reformat kanë përfunduar me institucione edhe më shumë të partizuara dhe të korruptuara.

Vlersojmë se është momenti të ballafaqohemi me realitetin dhe ti kyçim përfaqësuesit e SHBA dhe BE në këtë proces dhe të sigurojmë zgjidhje afatgjatë duke dalë nga kjo krizë permanente dhe ky tranzicion, si dhe të hapërojmë drejt euro integrimeve duke implementuar vlerat dhe standardet evropiane në sistemin juridik në këtë shtet.

Jemi të bindur se iniciativa jonë për një Komision për reformat në gjyqësor është më se i nevojshëm, dhe për momentin zgjidhja më e mirë për të arritur objektivin kryesor që është depolitizimi i sistemi juridik në përgjithësi, profesionalizimi dhe forcimi i shtetit të së drejtës dhe respektimi i ligjit në mënyrë të barabartë për të gjithë pavarsisht pozicioneve politike, përkatsisë partiake, etnik, fetare ose ndonjë grupit tjetër shoqëror.