Press konferencë e nënkryetarit Abdush Demiri

Të nderuar përfaqësues të mediave,

Të nderuar qytetarë,

Para disa ditëve Lëvizja Besa bëri publike planin për dalje nga tranzicioni i gjatë i reformave në sektorin jurdik. Oferta e Lëvizjes Besa për të krijuar një Komision shtetëror qoftë nga ana e Kuvendit apo e Presidentit të vendit, është një qasje e sinqertë, serioze dhe një zgjidhje e cila do të sillte reforma afatgjate, cilësore duke u harmonizuar me vlerat dhe standardet evropiane.

Edhe njëherë e ritheksojmë nevojën e menjëhershme për krijimin e këtij Komisioni për të përshpejtuar reformat në sistemin jurdik, me ndihmën e përfaqësuesëve ndërkombëtarë nga SHBA dhe BE, duke na ndihmuar në aplikimin e reformave thelbësore, kualitative dhe të menjëhershme, që do të rezultonin me rrumbullaksimin e këtij procesi përmes një “Vettingu”, i cili përfundimisht do të çlironte gjyqësorin, prokurorinë apo gjithë sistemin juridik nga partizimi dhe politizimi, nga mendësia e ish-sistemit dhe nga qasja selektive në aplikimin e të drejtës.

U dëshmua edhe njëherë se nëse reforma në sistemin e drejtësisë lihet në duart e partive politike, dhe atë të partive që në një apo formë tjetër kanë keqpërdorur dhe vazhdojnë të keqpërdorin pushtetin gjyqësor në interes të politikës, ato vetëm se do krijojnë edhe më tepër kriza dhe asnjëherë nuk do të lejojnë dalje nga ky rreth vicioz.

Prandaj, e ritheksojmë edhe njëherë nevojën e krijimit të Komisionit shtetëror për reformën në drejtësi dhe implementimin e mekanizmit të “Vetting”-ut, si një zgjidhje e vetme që do hapte rrugën e zhvillimit të vendit dhe avancimin drejt antarsimit në Bashkimin Evropian.