Lëvizja BESA: Dënojmë ashpër mos hapjen e paraleles shqipe në Idrizovë

Të nderuar përfaqësues të mediave;

Të nderuar qytetarë;

Rasti i mos hapjes të paraleles shqipe në Idrizovë, rikthen ndjenjën e skenarëve të vjetra, ku shqiptarëve u pamundësohet arsimi në gjuhën shqipe si dhe tentohet me çdo kusht që çështja e arsimit të bëhet sa më e vështirë për shqiptarët me ç’rast edhe ndodhin largimet e mëdha të familjeve të tëra nga vendlindja. Lëvizja BESA, dënon ashpër veprimet e Komunës së Gazi Babës, komunë e cila nuk po lejon hapjen e paraleles shqipe në Idrizovë dhe mundohet të dërgojë fëmijët e këtij vendbanimi në fshat tjetër vetëm e vetëm për të mos lejuar shkollimin e tyre në gjuhën amtare.

Që ironia të jetë më e madhe, këto shkelje ndaj të drejtave themelore të shqiptarëve për t’u arsimuar në gjuhën shqipe ndodhin pikërisht kur me Ministrinë e Arsimit udhëheq kuadër shqiptar nga rradhët e BDI. Opinioni i gjërë e di shumë mirë se pikërisht Arbër Ademi, ministri shqiptar i BDI-së, kur duhej që të vendosë ushtarë partiak në shkollat që gravitojnë në komunat që udhëhiqen nga opozita shqiptare si në Zhelinë apo Gostivar, ai nuk hezitoj që t’i marrë ingerencat pushtetit lokal nga këto komuna opozitare, ndërsa tash kur shkelen drejtpëdrejt interesat e shqiptarëve të Idrizovës, ministri Ademi në vend që të veprojë duke ia marrë kompetencat në arsim Komunës së Gazi Babës, ai tregon mos pasjen e fuqisë politike për të ndihmuar shqiptarët, ndërsa në rastin e komunave opozitare shqiptare dëshmoj se ka fuqi për të dëmtuar arsimin shqip.

Arsimi në Maqedoninë e Veriut përjeton ndoshta periudhën më të rëndë të mundshme dhe përgjegjësi për këtë situatë ka pa aftësia e ministri Arbër Ademi për të menaxhuar me këtë dikaster, prandaj në pamundësinë për të përmirësuar gjendjen e sistemit arsimor sidomos në vendbanimet ku jetojnë shqiptarët, e rrugës do ishte dorëheqje e menjëhershme duke i marrë mbi vete gjitha përgjegjësitë për paaftësinë e tij për të udhëhequr me një sektor kaq të rendësishëm për ardhmërinë e brezave të tërë.

Lëvizja BESA
25.09.2019
Blerim Sejdiu, Kryetar i Komunës së Zhelinës, njëherit edhe anëtar i kryesisë qendrore të Lëvizjes BESA