Intervista e plotë për gazetën KOHA e liderit të Lëvizjes BESA, Bilall Kasami

Kreu i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, në intervistë për gazetën KOHA ka folur për aktualitetin politik në vend, zgjedhjet e 12 prillit dhe koalicionin me LSDM-në. Ai thotë se si bartës i listës së koalicionit në Njësinë e gjashtë zgjedhore si konkurrent kryesor e sheh BDI-në e Ali Ahmetit, ndërsa jo edhe PDSH-në e Menduh Thaçit. Mos arritjen e koalicionit opozitar me Aleancën për Shqiptarët nuk e sheh si tradhti nga Sela, por shprehet se të tradhtuar nga Sela për këtë ndjehen anëtarët dhe votuesit e Aleancës

Intervistoi: Destan JONUZI

KOHA: Z.Kasami, jeni para një sfide të re politike, të një koalicioni që nuk ka ndodhur herë të tjera. Një parti shqiptare në koalicion me një parti maqedonase. A keni arsye të forta për t’ia thënë votuesit shqiptar?

KASAMI: Për ne si Lëvizje Besa, ka shumë rëndësi qasja në këtë proces zgjedhor, ashtu siç ka qenë me rëndësi futja jonë në politikë. Në kemi hyrë në skenën politike në një moment kur shumëkush e ka quajtur të panevojshme jo të përshtatshme për themelimin e një subjekti politik. Kemi pasur shumë kundërshtime nga politikanë dhe analistë që i përkrahnin politikat e qeverisë apo të asaj klase politike që e vlerësonin se Lëvizja Besa nuk do të kishte sukses në rrugëtimin e saj politik, por Lëvizja Besa arriti që të futej fuqishëm në skenën politike, dhe një vit e gjysmë pas themelimit të saj në zgjedhjet e vitit 2016 arriti që seriozisht ta sfidojë pushtetin, dhe pastaj menjëherë në vazhdim në zgjedhjet lokale, dhe presidenciale, dhe arritëm të ishim faktor kryesor dhe përcaktues i atyre zgjedhjeve. Ne si lëvizje Besa vazhdojmë rrugëtimin tonë autentik, autonom, autokton në politikbërjen e shqiptarëve të Maqedonisë, dhe për herë të parë bëjmë një veprim që partitë e tjera nuk e kanë bërë dhe kjo ka të bëjë më mënyrën sesi në e perceptojmë politikën. Përderisa partitë e tjera politikë shqiptare pas zgjedhjeve në të shumtën e rasteve janë futur ne koalicione jo të natyrshëm duke anashkaluar të gjitha antagonizmat që i kanë pasur para zgjedhjeve, kemi pasur koalicione, që para zgjedhjeve kanë pasur konflikte të hapura mes tyre. Ne futemi në një koalicion parazgjedhor për të dalë para shqiptarëve dhe për t’ju thënë se cila është oferta jonë në këtë koalicion, cila është marrëveshje e këtij koalicioni, dhe cili është angazhimi jonë dhe kontributi jonë në qeverisjen e ardhshme, pra nuk futemi në fushatë duke sharë e duke hedhur gurë e dru, e më pas të ulemi e të bisedojmë për ndarje të pozicioneve. Para shqiptarëve, ne dalim me një marrëveshje koalicioni me një program qeverisës. Ne këtë do ta realizojmë si partner në qeverisjen e ardhshme.

KOHA: Megjithatë ju keni pasur një sërë kritikash nga partitë politike shqiptare në drejtim të koalicionit tuaj me LSDM-në?

KASAMI: Ne si lëvizje Besa nuk shqetësohemi shumë për atë që thonë oponentët tanë politikë, sepse jemi në një garë politike dhe sigurisht që çfarëdo qe të veprojmë politikisht ata do të kenë diçka që do të na kritikojnë edhe më shumë, dhe kjo ndodh për shkak të mungesës së ofertës politike. Ne si Lëvizje Besa jemi më shumë të shqetësuar për atë se cila do të jetë oferta jonë, dhe si ajo ofertë do të mbroje e do të përkrahë interesat dhe të drejtat e shqiptarëve, si dhe si do ta realizojmë në qeverisjen e ardhshme që do të dalë pas 12 prillit, dhe jo ajo sesi këtë koalicion do ta trajtojnë oponentët tanë politikë. Nuk kemi dyshim se Lëvizja Besa do të jetë përfaqësuesja e denjë e votave të shqiptarëve në këtë koalicion dhe Lëvizja Besa do të arrijë që shqiptarët të kenë një parti e cila do të artikulojë kërkesat e shqiptarëve në këtë koalicion dhe do të mbroje interesat e tyre.

KOHA: Ky koalicion është kritikuar rëndë dhe nga partia Alternativa, por nga ana tjetër është folur gjatë se para se ju të bisedoni për koalicion me LSDM-në, Alternativa është ajo që ka zhvilluar bisedime. Keni informacion se ka pasur bisedime të tilla, sepse Zaevi deklaronte se bisedon me shumë parti shqiptare!

KASAMI: Është e njohur për publikun se ka pasur bisedime të tilla dhe kjo ka qenë e deklaruar publikisht dhe nga eksponentë të LSDM-së dhe nga vet kryetari i saj, kjo ka qenë e deklaruar dhe nga partitë shqiptare që kanë thënë se në qeverisjen aktuale – janë shkaku i LSDM-së dhe i Zoran Zaevit, dhe se ata do të kishin dashur të ishin edhe në një qeverisje të ardhshme me LSDM-në dhe Zaevin. Nëse ata – në këtë qeverisje janë për numra dhe për përfitime personale dhe klanore, Lëvizja Besa është në këtë koalicion parazgjedhor për program parazgjedhor, elektoral në interes të shqiptarëve. Në asnjë moment ne nuk do të futemi për kalkulime paszgjedhore, nëse nuk është esenca e atij bashkëpunimi dhe Programi zgjedhor. Ne, atë të cilën ua kemi garantuar shqiptarëve, ne e arritëm me këtë koalicion. Opinioni është i njohur se Lëvizja jonë nënshkroi një deklaratë me LSDM-në, dhe ne do të nënshkruajmë dhe zyrtarisht marrëveshjen e koalicionin me ta. Jemi në përfundim të hartimit të Programit të përbashkët, me të cilin ne do të dalim në këto zgjedhje. Lëvizja Besa ishte në bisedime për të qenë pjesë e koalicionit edhe të Qeverisë aktuale. Të parët që vizitoi mandatari i atëhershëm Zaev ishte Lëvizja Besa, dhe oferta që të jetë pjesë e asaj qeverisjeje, por në asnjë moment Lëvizja Besa as atëherë e as tani nuk pranoi që të jetë pjesë e një koalicioni apo e një qeverie pa një marrëveshje të shkruar, pa një program të dakorduar mbi të cilin do të vepronte në periudhën e ardhshme. Atë të cilën e kemi pasur si parim, vazhdojmë ta kemi si parim, gjë për të cilën nuk mund të krenohet asnjë subjekt politik shqiptar që për momentin është pjesë e qeverisë. Le të dalë një nga subjektet politike dhe tu garantojë shqiptare që pas 12 prillit me cilëndo parti maqedonase që të hyjë në koalicion, a do të koalicionojë në baze të një marrëveshjeje të shkruar e cila do të jetë publike dhe transparentë për opinionin apo jo.

KOHA: Keni folur edhe për mundësinë e bashkëpunimin dhe me partinë Aleanca për shqiptarët të Ziadin Selës. Ndërkohë që ai është në një kamp tjetër politik me partinë Alternativa. Ndjeheni i tradhtuar nga z.Sela?

KASAMI: Jo besoj se do të ndjehen të tradhtuar votuesit e Aleancës për Shqiptarët, nga fakt që nga një kombinatorik fituese që ishte Besa me Aleancën Sër shqiptarët, ai zgjodhi një kombinatorik që unë e vlerësoj se nuk do të jetë fituese, nga shkaqe që ai i di, por jo edhe opinioni publik. Votuesit e Aleancës për Shqiptarët do të ndjehen të tradhtuar dhe për një shkak tjetër – që këta votues dhe këta struktura për një kohë të gjatë kanë qenë të mbingarkuar me një agjendë, të cilët e kanë pasur eksponentë të Aleancës për Shqiptarët për elementë të dyshimta të Lëvizjes Besa dhe kur këta elemente të dyshimta pastrohen nga Lëvizja Besa dhe pas një kohe formojnë një grupacion politik dhe ti të zgjedhësh këta individë, të cilët kanë qenë pjesa më e diskutueshme e relacioneve që i kemi pasur si Lëvizje me Aleancën për Shqiptarët – kjo është një tradhti për votuesin tënd, sepse atë strukturë dhe atë votues e ke bindur se problemi i një bashkëpunimi me lëvizjen janë paratë e dyshimta që vijnë nga Irani, lindja, njerëz me ideologji të dyshimtë etj. Kur bën koalicion me parti politike që janë bartës të këtij procesi, ku eksponentë të saj dalin e propozojnë vlerat të cilat nuk e di sesa janë të përafërta me ideologjinë e Aleancës për Shqiptarët, kjo tregon një tradhti për votuesit e Aleancës. Kur nuk ka një qasje të sinqertë për bashkëpunim të plote vendosëm se është e pamundur një koalicion i tillë i cili nuk bëhet mes dy partnerëve të barabartë.