Intervista e plotë e Kryetarit Kasami për ‘Kosovapress’

Kryetari i Lëvizjes Besa në Maqedoninë e Veriut, Bilall Kasami thotë se janë të gatshëm që edhe të vetëm të sfidojnë Bashkimin Demokratik për Integrim, dhe partitë tjera në qeveri që kërkojnë mbështetjen e shqiptarëve në zgjedhjet e 12 prillit. Por pranon që është i mundur një koalicion me Aleancën për Shqiptarët, për të cilin thotë se do të ndërtohej bazuar në platformë të pastër opozitare.

Kreu i Lëvizjes Besa në një intervistë për KosovaPress, vlerëson se partitë shqiptare duhet të bashkohen rreth kërkesave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, në mënyrë që shqiptarët të jenë faktor vendimmarrës në vend.

Sipas tij, dihet qartë që BDI do të përfundojë në opozitë, veçse ka mbetur të shihet se me sa vota do të përfundojë aty.

“Për shkak që BDI është parti e preferuar tek partitë maqedonase, më herët VMRO dhe tash LSDM, BDI vazhdon për 15 vite të jetë në qeveri, e cila nuk i zgjidh problemet e shqiptarëve por vetëm që u shërben pushtetarëve maqedonas”, thotë ai.

Ai thotë që aktualisht janë në diskutim me strukturat e partisë që të ofrojnë platformën qeverisëse.

“Përgatitemi që edhe vet të sfidojmë BDI-në dhe partitë në qeveri të cilat kërkojnë mandate nga shqiptarët. Sigurisht që jemi më në përpilim e sipër dhe diskutim me strukturat e Lëvizjes Besa gjithandej ku janë prezent shqiptarët e Maqedonisë që të ofrojmë një platformë gjtihpërfshirëse, një platformë që zgjidh një pjesë të konsiderueshme të problemeve të shqiptarëve të akumuluara ndër vite, këtë platformë tanimë e kemi përpiluar dhe më tutje vazhdojmë të përgatitemi fuqishëm që të vetëm të sfidojmë pushtetin aktual”, thotë Kasami.

Megjithatë, ai lë të hapur bashkëpunimin me partitë opozitare shqiptare. Këtu përmend Aleancën për Shqiptarët, ku kreu i saj Ziadin Sela veçse i ka bërë thirrje publike për bashkëpunim.

“Sigurisht gjithmonë janë të hapura urat e komunikimit me partitë opozitare, në këtë rast me Aleancën për Shqiptarët, ne si dy parti shqiptare vlerësojë që është i mundur një koalicion opozitar, një bashkëpunim opozitar i bazuar në një platformë të pastër opozitare, kemi komunikim, kemi një bashkëbisedim në drejtim të përpilimit të një platforme opozitare në drejtim të asaj që të shohim variacionet e një bashkëpunimi opozitar që votuesit opozitar t’i japim një siguri më të lartë sepse ka një pjesë të konsiderueshme të votuesve të cilët edhe pse janë të dëshpëruar thellësisht nga kjo qeverisje ata frikësohen dhe kanë rrezikun që pushteti t’u hakmerret nëse ata publikisht deklarojnë për votë opozitare, prandaj ne seriozisht e analizojmë edhe mundësinë e një koalicioni më të gjerë opozitar”, thotë ai.

Ndërsa i pyetur për ndonjë bashkëpunim të mundshëm me partitë maqedonase, Kasami thotë se prioritet e kanë të marrin përkrahje te shqiptarët.

Ai thotë se nëse një parti shqiptare merr votat e mjaftueshme të shqiptarëve, për t’i përfaqësues ata në institucione, atëherë është i mundshëm bashkëpunimi me parti maqedonase, por sipas tij, këtë do ta bënin vetëm nëse ai bashkëpunim është edhe në interesat e shqiptarëve.

“Problemin më shumë e shoh dhe qëndron tek defaktorizimi i partive shqiptare në qeveri, sesa tek ajo që partitë maqedonase nuk janë të gatshme që të pranojnë kërkesat e shqiptarëve, do të mundohem të ilustroj këtë me një situatë e cila u paraqit me ndryshimet kushtetuese ku ne sot i kemi pjesë të koalicionit qeverisës diku 20 deputetë shqiptarë bashkë me deputetë të cilët kanë fituar mandatet e tyre në siglën e LSDM-së, parti maqedonase në këtë rast, dhe ata nuk arritën të fusin asnjë kërkesë të shqiptarëve në ndryshimet kushtetuese që erdhën si rezultat i implementimit të marrëveshjes së Prespës me Greqinë dhe më herët me Bullgarinë për fqinjësi të mirë”, thotë Kasami.

Më 3 janar pritet të hyjë në fuqi marrëveshja e Shkupit, me të cilën qartësohet se tre muaj para se të mbahen zgjedhjet ngritët qeveri teknike e cila që merret vetëm me organizimin e zgjedhjeve.

Ndërkohë menjëherë në shkurt pritet të bëhet shpërndarja e parlamentit./KP