Deklarata Politike e Lëvizjes BESA – Fjalim nga Arta Sadiku Akteshi

Të bindur se Republika e Maqedonisë, e themeluar në KAÇKM – gjatë Luftës së Dytë Botërore – me synim që të ndërtojë një republikë federative, përfundimisht krijoi një subjekt asimetrik dhe dështoi në ndërtimin e një njësie politike të ngritur mbi barazi, demokraci, drejtësi dhe zhvillim, gjë që u dëshmua me shpërbërjen e Jugosllavisë, kur këtë e pësuan të gjitha kombet joshumicë në Maqedoni, e veçmas shqiptarët si kombi i dytë më i madh në Maqedoni,

Të bindur se Republika e Maqedonisë, e themeluar në vitin 1991 – po ashtu në kushtet e luftës që u shkaktua nga shpërbërja e RSFJ-së – me referendumin e 8 shtatorit vetëm e riinstaloi shtetin asimetrik, e la të hapur mundësinë e ribashkimit me një shtet të ish-Jugosllavisë dhe e sforcoi pabarazinë kombëtare, e fuqizoi shtetin njëetnik dhe e rriti presionin ndaj kombeve të tjera në vend, ku më së shumti pësuan shqiptarët, si kombi i dytë më i madh në Maqedoni,

Të bindur se edhe Republika e Maqedonisë – e rithemeluar pas konfliktit të vitit 2001, me arritjen e Marrëveshjes së Ohrit – e përsëriti shtetin asimetrik dhe rishtazi nuk arriti ta prodhojë një shtet mbi principe të barazisë, demokracisë, lirisë, kohezionit ndëretnik, funksionalitetit dhe zhvillimit,

Sot përsëri shfaqet nevoja që kombet e Maqedonisë – në këtë rast dy kombet më të mëdha – maqedonasit dhe shqiptarët, duke respektuar të drejtat e kombeve të tjera në Maqedoni, të merren vesh për RIDEFINIMIN si koncept për ndërtimin e një shtet të ri, që nuk do të jetë as si Maqedonia e ’45-tës, as si ajo e ’91-shit, as si ajo e 2001-shit, por do të jetë një shtet i dy partnerëve të barabartë – që do reflektojë me një shoqëri e cila do të jetë kompatibile me shtetin.

Ky shtet do të duhet ta marrë parasysh realitetin shoqëror në Maqedoni dhe

mbi parimin e lirisë, që duhet të manifestohet në të gjitha fushat e jetës – duke i marrë për bazë konventat ndërkombëtare mbi lirinë,

mbi parimin e barazisë, që nënkupton barazinë kombëtare dhe qytetare, si dhe luftën kundër secilës formë të diskriminimit,

mbi parimin e drejtësisë, që është parim themelor i funksionimit ligjor të mbarë të shtetit,

mbi parimin e mirëqenies për të gjithë qytetarët e vendit, por edhe

mbi parimin e luftës kundër korrupsionit dhe luftës kundër të gjitha veseve shoqërore,

me një konsensus të ri politik – të arritur në kushte të paqes, pa trysni, pa dhunë dhe pa presion, por të prirë nga vullneti i mirë për të krijuar një shtet të barabartë, të drejtë, të lirë, demokratik, funksional dhe të zhvilluar, ta ndërtojmë një shtet të ri, të cilin BESA do ta konsiderojë si Republika e re e Maqedonisë.

 

Prandaj ne jemi këtu që shqiptarëve të Maqedonisë, por edhe të gjithë qytetarëve të këtij vendi, t’ua ofrojmë një koncept të ri politik – Lëvizjen “BESA”, e cila në epiqendër të saj e ka para së gjithash njeriun shqiptar, por edhe secilin qytetar tjetër të Maqedonisë, si edhe shtetin në tërësi.

BESA synon ta ndryshojë sistemin e funksionimit të këtij shteti, ngase konsideron se nuk ia vlen pjesëmarrja në një pushtet me shtet të këtillë asimetrik.

BESA synon të ngrejë një debat të përgjithshëm intelektual për temat politike, ekonomike, kulturore, arsimore, shëndetësore e të tjera në Maqedoni, që përmes tyre ta artikulojë një mendim të ri politik, i cili duhet të gëlojë nga vlerat universale të humanizmit dhe të aspirojë një shtet ndryshe nga ky që e kemi sot.

BESA synon ta sensibilizojë dhe alarmojë shqiptarin e Maqedonisë, por edhe secilin qytetar tjetër në këtë vend, për pabarazinë, padrejtësinë, mungesën e demokracisë dhe të lirisë në këtë vend.

BESA beson se vetëm një shtet që i respekton të drejtat e njeriut dhe demokracinë, ka mundësi të bëhet shtet i qëndrueshëm dhe me perspektivë.

BESA angazhohet për një shtet të barazisë, duke i eliminuar të gjitha format e diskriminimit.

BESA synon të ndërtojë një shtet të së drejtës, ku askush nuk është mbi ligjin dhe ku askush nuk mund ta keqpërdorë ligjin për qëllime të caktuara etnike, politike ose partiake.

BESA angazhohet fuqimisht me gjithë kapacitetin e saj intelektual e profesional që të krijojë një shtet të zhvilluar ekonomik, me hapje të vendeve të reja të punës, me të ardhura më të larta dhe me zhvillim të qëndrueshëm ekonomik pa bërë diskriminime në baza etnike, rajonale e gjeografike.

BESA angazhohet për shëndetësi cilësore, e cila i mundëson secilit qytetar të Maqedonisë mundësi të barabarta për qasje në shërbimet shëndetësore.

BESA synon të ndërtojë një shtet social, ku asnjë qytetar nuk e ndjen mungesën e nevojave elementare për jetë.

BESA angazhohet për një shtet me arsim të shëndoshë dhe konkurrues, i cili do të jetë kompatibil me nevojat e tregut të punës.

BESA angazhohet për një shtet në të cilin trashëgimia kulturore, shpirtërore dhe fetare janë vlera të mbrojtura dhe të kultivuara njësoj për të gjitha komunitetet në vend.

BESA angazhohet për respektimin dhe realizimin e Deklaratës të përbashkët të partive politike shqiptare parlamentare në Maqedoni dhe gjitha obligimeve që dalin nga e njejta.

 

BESA do të jetë e pakompromistë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ngase beson se pa këtë luftë mbetet i pakuptimtë secili angazhim për shtet të mirëqenshëm.

BESA mëton të krijojë klimë pozitive në marrëdhëniet intra e inter-etnike, si dhe inter-religjioze e inter-politike.

BESA beson thellësisht se në saje të kohezionit të brendshëm etnik, që e synon ajo, hapen dy rrugë të rëndësishme për këtë vend: rruga e zhvillimit ekonomik të vendit dhe, rrjedhimisht, rruga e integrimit të vendit në strukturat euro-atlantike.

BESA e sheh diasporën shqiptare si pjesë e pandashme e shoqërisë tonë dhe do të bashkëpunojë ngushtë drejt qëllimeve të përbashkëta në mbrojtjen e interesave të shqiptarëve që jetojnë brenda dhe jashtë Maqedonisë

BESA beson se me një RIDEFINIM të shtetit mbi parimet e sipërpërmendura do të kemi shqiptarë të barabartë kundrejt shtetit dhe shtet të drejtë, funksional dhe pozitiv ndaj të gjitha kombeve dhe ndaj të gjithë qytetarëve në vend.

BESA është lëvizje politike shqiptare, që identifikohet përmes 3 A-ve: autentike, sepse buron nga nevojat vendore; autoktone, sepse lind vetëm nga kapacitetet tona vendore dhe autonome, sepse është krejtësisht e pavarur.

BESA respekton përcaktimin fetar të secilit individualisht duke u mbështetur në besimin në Zot  dhe në vlerat tradicionale kombëtare, morale e në vlerat familjare shqiptare.

BESA synon të jetë zëri i arsyes dhe ndërgjegjes në shoqërinë tonë.

BESA është sinonim i premtimit që nuk tradhtohet me asnjë çmim se mirëqenia e njeriut është më e rëndësishme se secili pushtet tjetër.

Ne e japim BESËN se me përkushtim e devocion do të angazhohemi pa u kursyer fare që t’i jetësojmë  vlerat qytetëruese në vendin tonë dhe t’i përhapim ato edhe në rajon dhe më gjerë.

 

Besa-Besë!

 

Shkup, 24 SHKURT 2018