Logo BesaSmall

Lëvizja BESA

   

 

Një vizion shqiptar për Maqedoninë…

 

 

 

“Kredo e angazhimit tonë politik është një shoqëri me individë mirë të edukuar e të arsimuar, profesionalisht dhe intelektualisht të ngritur, me jetë të pasur kulturore-shpirtërore, të prirë të krijojnë familje të shëndosha dhe që kujdesen për të mirën e njeriut dhe të ambientit që i rrethon.

E mira ia fillon me individin, zgjerohet me familjen, ndërtohet me kombin, kultivohet në shoqëri dhe reflektohet në ndërtimin e shtetit.”

 

 

Shkup, 2014

ME BESË…

(deklaratë politike)

 

Të bindur se Republika e Maqedonisë, e themeluar në KAÇKM – gjatë Luftës së Dytë Botërore – me synim që të ndërtojë një republikë federative, përfundimisht krijoi një subjekt asimetrik dhe dështoi në ndërtimin e një njësie politike të ngritur mbi barazi, demokraci, drejtësi dhe zhvillim, gjë që u dëshmua me shpërbërjen e Jugosllavisë, kur këtë e pësuan të gjitha kombet joshumicë në Maqedoni, e veçmas shqiptarët si kombi i dytë më i madh në Maqedoni,

Të bindur se Republika e Maqedonisë, e themeluar në vitin 1991 – po ashtu në kushtet e luftës që u shkaktua nga shpërbërja e RSFJ-së – me referendumin e 8 shtatorit vetëm e riinstaloi shtetin asimetrik, e la të hapur mundësinë e ribashkimit me një shtet të ish-Jugosllavisë dhe e sforcoi pabarazinë kombëtare, e fuqizoi shtetin njëetnik dhe e rriti presionin ndaj kombeve të tjera në vend, ku më së shumti pësuan shqiptarët, si kombi i dytë më i madh në Maqedoni,

Të bindur se edhe Republika e Maqedonisë – e rithemeluar pas konfliktit të vitit 2001, me arritjen e Marrëveshjes së Ohrit – e përsëriti shtetin asimetrik dhe rishtazi nuk arriti ta prodhojë një shtet mbi principe të barazisë, demokracisë, lirisë, kohezionit ndëretnik, funksionalitetit dhe zhvillimit,

Sot përsëri shfaqet nevoja që kombet e Maqedonisë – në këtë rast dy kombet më të mëdha – maqedonasit dhe shqiptarët, por edhe kombet e tjera në Maqedoni, të merren vesh ta ndërtojnë një shtet të ri, që nuk do të jetë as si Maqedonia e ’45-tës, as si ajo e ’91-shit, as si ajo e 2001-shit, por do të jetë një shtet simetrik – ku shoqëria do të jetë kompatibile me shtetin.

 

Ky shtet do të duhet ta marrë parasysh realitetin shoqëror në Maqedoni dhe

mbi parimin e lirisë, që duhet të manifestohet në të gjitha fushat e jetës – duke i marrë për bazë konventat ndërkombëtare mbi lirinë,

mbi parimin e barazisë, që nënkupton barazinë kombëtare dhe qytetare, si dhe luftën kundër secilës formë të diskriminimit,

mbi parimin e drejtësisë, që është parim themelor i funksionimit ligjor të mbarë të shtetit,

mbi parimin e mirëqenies për të gjithë qytetarët e vendit, por edhe

mbi parimin e luftës kundër korrupsionit dhe luftës kundër të gjitha anomalive shoqërore,

me një konsensus të ri politik – të arritur në kushte të paqes, pa dhunë dhe pa presion, por të prirë nga vullneti i mirë për të krijuar një shtet të barabartë, të drejtë, të lirë, demokratik, funksional dhe të zhvilluar, ta ndërtojmë një shtet të ri, të cilin BESA do ta konsiderojë si Republika e re e Maqedonisë.

 

Prandaj ne jemi këtu që shqiptarëve të Maqedonisë, por edhe të gjithë qytetarëve të këtij vendi, t’ua ofrojmë një koncept të ri politik – Lëvizjen BESA, e cila në epiqendër të saj e ka para së gjithash njeriun shqiptar, por edhe secilin qytetar tjetër të Maqedonisë, si edhe shtetin në tërësi.

 

BESA synon ta ndryshojë sistemin e funksionimit të këtij shteti, ngase konsideron se nuk ia vlen pjesëmarrja në një pushtet me shtet të këtillë asimetrik.

BESA synon të ngrejë një debat të përgjithshëm intelektual për temat politike, ekonomike, kulturore, arsimore, shëndetësore e të tjera në Maqedoni, që përmes tyre ta artikulojë një mendim të ri politik, i cili duhet të gëlojë nga vlerat universale të humanizmit dhe të aspirojë një shtet ndryshe nga ky që e kemi sot.

BESA synon ta sensibilizojë dhe alarmojë shqiptarin e Maqedonisë, por edhe secilin qytetar tjetër në këtë vend, për pabarazinë, padrejtësinë, mungesën e demokracisë dhe të lirisë në këtë vend.

BESA beson se vetëm një shtet që i respekton të drejtat e njeriut dhe demokracinë, ka mundësi të bëhet shtet i qëndrueshëm dhe me perspektivë.

BESA angazhohet për një shtet të barazisë, duke i eliminuar të gjitha format e diskriminimit.

BESA synon të ndërtojë një shtet të së drejtës, ku askush nuk është mbi ligjin dhe ku askush nuk mund ta keqpërdorë ligjin për qëllime të caktuara etnike, politike ose partiake.

BESA angazhohet fuqimisht me gjithë kapacitetin e saj intelektual e profesional që të krijojë një shtet të zhvilluar ekonomik, me hapje të vendeve të reja të punës, me të ardhura më të larta dhe me zhvillim të qëndrueshëm ekonomik pa bërë diskriminime në baza etnike, rajonale e gjeografike.

BESA angazhohet për shëndetësi cilësore, e cila i mundëson secilit qytetar të Maqedonisë mundësi të barabarta për qasje në shërbimet shëndetësore.

BESA synon të ndërtojë një shtet social, ku asnjë qytetar nuk e ndjen mungesën e nevojave elementare për jetë.

BESA angazhohet për një shtet me arsim të shëndoshë dhe konkurrues, i cili do të jetë kompatibil me nevojat e tregut të punës.

BESA angazhohet për një shtet në të cilin trashëgimia kulturore, shpirtërore dhe fetare janë vlera të mbrojtura dhe të kultivuara njësoj për të gjitha komunitetet në vend.

BESA do të jetë e pakompromistë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ngase beson se pa këtë luftë mbetet i pakuptimtë secili angazhim për shtet të mirëqenshëm.

BESA mëton të krijojë klimë pozitive në marrëdhëniet intra e inter-etnike, si dhe inter-religjioze e inter-politike.

BESA beson thellësisht se në saje të kohezionit të brendshëm etnik, që e synon ajo, hapen dy rrugë të rëndësishme për këtë vend: rruga e zhvillimit ekonomik të vendit dhe, rrjedhimisht, rruga e integrimit të vendit në strukturat euro-atlantike.

BESA beson se me një rikonceptim të shtetit mbi parimet e sipërpërmendura do të kemi shqiptarë të barabartë dhe të dobishëm kundrejt shtetit dhe shtet të drejtë, funksional dhe pozitiv ndaj të gjitha kombeve dhe ndaj të gjithë qytetarëve në vend.

BESA është lëvizje politike shqiptare, që identifikohet përmes 3 A-ve: autentike, sepse buron nga nevojat vendore; autoktone, sepse lind vetëm nga kapacitetet tona vendore dhe autonome, sepse është krejtësisht e pavarur.

BESA mbështetet në besimin në Zot dhe në vlerat tradicionale kombëtare, morale e në vlerat familjare shqiptare.

BESA synon të jetë zëri i arsyes dhe ndërgjegjes në shoqërinë tonë.

BESA është sinonim i premtimit që nuk tradhtohet me asnjë çmim se mirëqenia e njeriut është më e rëndësishme se secili pushtet tjetër.

 

Ne e japim BESËN se me përkushtim e devocion do të angazhohemi pa u kursyer fare që t’i jetësojmë  vlerat qytetëruese në vendin tonë dhe t’i përhapim ato edhe në rajon dhe më gjerë.

 

Besa-Besë!

 

Shkup, 22 nëntor 2014
MAQEDONIA SI PROBLEM – PERCEPTIMI I SHTETIT

Lëvizja BESA konsideron se problemi themelor i Maqedonisë është perceptimi i ndryshëm që kanë komunitetet e ndryshme për shtetin.

Në njërën anë janë maqedonasit që e shohin shtetin si produkt historik i kombit maqedonas, si fryt i një luftë shekullore të tij për shtet dhe si një mundësi të vetme që të mbijetojnë si identitet. Prandaj, ata (maqedonasit) i shohin shqiptarët dhe të gjithë të tjerët vetëm si mysafirë (në kushtetutë i quajnë “pjesë të popullit….”) dhe jo si qytetarë që e ndërtojnë sovranitetin e shtetit. Në këtë mënyrë ata kujtojnë se në asnjë mënyrë nuk duhet “ta rrezikojnë” shtetin duke u dhënë më shumë pushtet shqiptarëve e të tjerëve, qoftë kjo edhe duke i diskriminuar dhe nëpërkëmbur të drejtat themelore të njeriut. Kjo ka prodhuar shtet asimetrik, jofunksional, të pazhvilluar dhe jostabil.

Në anën tjetër janë shqiptarët, që zyrtarisht përbëjnë ¼ e shtetit dhe të cilët Maqedoninë e perceptojnë si shtet të përkohshëm, ngase – sipas tyre – ky shtet do të shpërbëhet dhe ata do të jenë diku tjetër. Kjo ka bërë që shqiptarët të mos kenë interesim për Maqedoninë, të mos e perceptojnë atë si atdhe të tyre dhe të mos angazhohen në fuqizimin dhe zhvillimin e tij. Natyrisht edhe kjo ka prodhuar një shtet asimetrik, jostabil dhe jofunksional.

Duke i pasur parasysh rrethanat globale, rajonale e vendore, këto perceptime medoemos duhet të ndryshojnë. Lëvizja BESA do të angazhohet që te maqedonasit ta kthejë bindjen se shteti i Maqedonisë, që të jetë funksional, patjetër duhet ta pranojë realitetin shoqëror në vend, ku rreth 40% e popullatës nuk janë maqedonas, ndërsa te shqiptarët ta krijojë opinionin se njeriu shqiptar i suksesshëm në Maqedoni duhet të projektohet në kushtet aktuale të këtij shteti dhe këtu ta ndërtojë të sotmen dhe të ardhmen e tij.

Intenca jonë është shqiptarët nga “e keqja e domosdoshme” të bëhen “e mira e dobishme e shtetit”, ndërsa maqedonasit nga “pronarë të shtetit” të bëhen “partnerë të shtetit me shqiptarët” dhe me të gjitha komunitetet e tjera në Maqedoni.

 

 

IDENTITETI I BESËS

BESA është menduar të jetë organizatë politike që në qendër të vëmendjes së saj para së gjithash e ka njeriun shqiptar, pa e përjashtuar asnjë qytetar tjetër të Maqedonisë.

BESA është lëvizje që përshkruhet me tre A:

  • BESA është lëvizje AUTENTIKE – buron nga nevojat reale të shqiptarëve në Maqedoni;
  • BESA është lëvizje AUTOKTONE – që është krijuar nga kapacitetet vendore shqiptare në Maqedoni;
  • BESA është lëvizje AUTONOME – megjithëse është e hapur për bashkëpunim me të gjithë, ajo është lëvizje e pavarur, subjekt më vete, dhe nuk është filiale e asnjë subjekti të brendshëm a të jashtëm.

 

PARIMET POLITIKE

1.      Liria dhe demokracia

Liria e fjalës, e mendimit, e shprehjes dhe e votës duhet të jenë fondamente të një shteti të përparuar. Për fat të keq në Maqedoni hëpërhë mbretëron kufizim i lirisë mediale. Pushteti me metoda perfide e kufizon lirinë e të shprehurit, të mendimit të lirë etj. Janë këtu shembujt e mbylljes së mediave, presionet e ndryshme ndaj intelektualëve etj.

Po ashtu në Maqedoni ka probleme serioze edhe në kuptimin e demokracisë si proces ku fiton shumica. Duke dalë prej një sistemi totalitar, pushtetarët e kanë fuqizuar pushtetin e tyre duke ua kufizuar njerëzve hapësirën e lirë që vetë të vendosin për përcaktimin e tyre politik. Ata kanë krijuar mekanizma që i kushtëzojnë qytetarët, ashtu që kanë prodhuar një shoqëri që, si në sistemin monist, nga frika ose kushtëzimi i pushtetit, nuk është e lirë që ta shprehë vullnetin e saj politik.

Prandaj parimi i parë i BESËS është angazhimi që në Maqedoni detyrimisht të fuqizohet liria e fjalës, si dhe liria e veprimit, por edhe demokracia, sepse vetëm një shoqëri që i respekton këto parime, mund të shpresojë për shtet të lirë, demokratik, të zhvilluar dhe funksional. Në të kundërtën fuqizohet diktatura dhe ngufatet liria e njeriut.

 

2.      Barazia

Barazia është parimi i dytë i BESËS për shtetin e zhvilluar. Meqë këto 24 vite, por edhe më parë, drejtuesit e shtetit kanë prodhuar pabarazi ndëretnike dhe ndërfetare, kjo e ka fuqizuar shtetit nacional (njëetnik) maqedonas dhe ka krijuar një shtet asimetrik e diskriminues, të cilin tashmë as vetë maqedonasit nuk e duan si të tillë, sepse aty më shumë se 40% e popullatës nuk kanë besim në institucionet, gjë që paraqet një burim të përhershëm të destabilizimit.

Që nga emri i shtetit, simbolet e tij, përfaqësimi në institucionet themelore të shtetit, planifikimi i buxhetit, e deri në shpërndarjen e ndihmave sociale ose në çështjet e urbanizmit, në Maqedoni ndjehet se shteti është diskriminues ndaj komuniteteve jomaqedonase në vend, në këtë kontekst veçmas ndaj shqiptarëve.

BESA kujton se duke u udhëhequr nga parimi i barazisë, do të krijojë politika të barabarta për të gjitha komunitetet, duke e eliminuar parimin etnik në projektet shtetërore dhe duke e zëvendësuar atë me parimin zhvillimor. Kjo sidomos duhet të bëhet në pushtetin lokal, ku është jashtëzakonisht shumë i theksuar parimi i ndarjes së pushtetit në vija etnike, gjë që ka gjeneruar komuna të zhvilluara maqedonase dhe komuna “geto” shqiptare etj.

Barazia e synuar nga BESA nënkupton luftimin e secilës formë të diskriminimit, qoftë diskrimin etnik, partiak, ekonomik, kulturor, arsimor, religjioz, gjinor etj.

 

3.      Drejtësia dhe lufta kundër korrupsionit

Parimi i tretë themelor i BESËS është vendosja e drejtësisë dhe lufta kundër korrupsionit. Vetëm një shtet i vërtetë ligjor, i cili e respekton të drejtën, ligjin dhe nuk është diskriminues ndaj komuniteteve të veçanta kombëtare e religjioze, mund të shpresojë të jetë një shtet i zhvilluar dhe qytetarët e tij të kenë besim në të.

Për fat të keq në Maqedoni në të kaluarën disa herë është dëshmuar se shteti ka qenë i padrejtë ndaj komuniteteve të tjera në vend (përveç maqedonasve ortodoksë) dhe kjo, pos që ka bërë një shtet me mosbesim të lartë të qytetarëve ndaj tij, ka krijuar edhe një shtet me drejtësi të kushtëzuar, ku pakkush beson në drejtësinë e tij.

Bashkë me drejtësinë konsiderojmë se shkon edhe lufta kundër korrupsionit. Duke e konsideruar këtë dukuri si kancer të shoqërisë dhe të shtetit, si dhe duke pasur para vetes të dhëna që Maqedoninë e radhisin shumë lart në këtë drejtim, lufta kundër korrupsionit është ndër detyrimet më themelore të BESËS. Në fakt, pa fuqizimin e luftës kundër korrupsionit, nuk ka kurrfarë mundësie prosperiteti për Maqedoninë.

 

4.      Shoqëria stabile – shteti stabil

Duke qenë një shoqëri që brenda një shekulli ka përjetuar dy luftëra botërore, dy luftëra ballkanike, ndarjen nga shteti osman, dy shpërbërje federatash dhe një luftë të brendshme në vitin 2001 ndërmjet shqiptarëve, nga njëra anë, dhe shtetit, nga ana tjetër, shoqëria e Maqedonisë është thellësisht e ndarë në vija etnike, aty ka mosbesim të lartë mes komuniteteve dhe është shoqëri shumë labile ndaj ndikimeve të jashtme. Prandaj misioni i BESËS është që, përmes mekanizmave politike, të gjejë partnerë politikë, të cilët e duan të mirën e këtij shteti, që para së gjithash të bëhet stabilizimi i shoqërisë.

BESA konsideron se stabilizimi i shoqërisë do të arrihet vetëm duke i eliminuar të gjitha burimet e diskriminimit, padrejtësisë, korrupsionit dhe konflikteve që e mbajnë pezull shtetin dhe duke krijuar perspektivë zhvillimore ekonomike. Kjo do të thotë se arsyeja kryesore që Maqedonia është një shtet jofunksional është se ky shtet nuk ka arritur asnjëherë, gjatë këtyre 24 viteve sa ekziston, të jetë një shtet stabil. Në një shoqëri me kaq shumë mosbesim dhe kaq fragjile kundrejt incidenteve, ka qenë vështirë të mbishtresohet çfarëdo projekti zhvillimor, sepse gjendja e saj jostabile ka bërë që askush në botë të mos e pranojë Maqedoninë si shtet afatgjatë dhe të volitshëm për bashkëpunim strategjik.

Për këtë arsye BESA konsideron se gjëja e parë që duhet të bëhet është që komuniteti shqiptar dhe ai maqedonas, si dy komunitetet më të mëdha në vend, ndërsa kjo të pranohet edhe nga komunitetet e tjera pakicë, të arrijnë një pajtim mes vete se dëshirojnë të ndërtojnë një shtet të barazisë, drejtësisë, demokratik, funksional dhe të zhvilluar. Për këtë qëllim këto komunitete duhet të dëshmojnë se janë lojale ndaj shtetit, se dëshirojnë përparimin e shtetit dhe se duan të ndërtojnë një shtet të përbashkët mbi parimin e barazisë, drejtësisë dhe zhvillimit. Maqedonasve u bie barra kryesore që të dëshmojnë se janë për shtet të vërtetë shumetnik, duke e dëshmuar këtë në vepër, ndërsa shqiptarëve dhe të tjerëve u bie barra të dëshmojnë se janë për Maqedoni të barabartë, të drejtë e të zhvilluar dhe se do të punojnë në të mirë të këtij shteti.

Pastaj vjen perspektiva zhvillimore. BESA, përmes mekanizmave të saj politike dhe profesionalizmit të saj, mëton që Maqedoninë ta bëjë një vend të zhvilluar në aspekt ekonomik dhe kjo jo vetëm për shkak të mirëqenies së të gjithë qytetarëve të saj, por edhe për shkak se kjo do ta stabilizojë shtetin dhe do t’i zbehë ndarjet aktuale në shoqëri.

Kjo do të jetë një bazë e mirë për stabilizimin e shtetit dhe për krijimin e politikave zhvillimore në vend.

 

5.      Mirëqenia dhe zhvillimi

Parimi i pestë i BESËS është mirëqenia. Stabiliteti i shtetit duhet të bëhet për mirëqenien e të gjithë qytetarëve të Maqedonisë.

Synimi BESËS është që përmes mekanizmave politike të prodhojë mirëqenie për Maqedoninë. Në një shtet me ndarje kaq të mëdha, me geto etnike e religjioze, me shkallë të lartë të pabarazisë, mosbesimit dhe diskriminimit, mirëqenia do të ishte çelësi i të gjitha zgjidhjeve. Nëse shteti stabilizohet dhe arrin të prodhojë politika për mirëqenien e të gjithë qytetarëve pa dallime kombëtare dhe religjioze, kështu do të fuqizohej mirëbesimi dhe do të fillonte të ndërtohej një shtet i ri në të gjitha aspektet.

Me mirëqenie nënkuptojmë politika për zhvillimin ekonomik, prosperitetin arsimor e shkencor, progresin kulturor, afirmimin e kulturave dhe religjioneve autoktone si elemente bashkimi mes kombeve të ndryshme në vend, zhvillimin e mirë të politikave sociale e shëndetësore, zhvillimin e sportit, mbrojtjen e natyrës, ujit dhe ajrit, si dhe respektimin e pakompromistë të shtetit ligjor, së pari nga institucionet shtetërore, e pastaj nga të gjithë qytetarët në vend.


PËRCAKTIMET PROGRAMORE:

I.                  SISTEMI POLITIK

1.      Rregullimi juridiko-kushtetues

BESA angazhohet për një shtet që do të jetë i shkëputur nga mundësia për bashkim me ndonjërën nga republikat e ish Jugosllavisë.

BESA angazhohet për SISTEM REPUBLIKAN PARLAMENTAR, ku Parlamenti duhet të jetë institucioni më i lartë dhe më i rëndësishëm shtetëror në këtë sistem. Ai, përskaj funksionit ligjdhënës që e ka, edhe në këtë sistem duhet të jetë tempulli i demokracisë, i cili do ta ketë nën kontroll punën e Qeverisë.

QEVERIA do duhet t’i zbatojë funksionet e saj ekzekutive, por ajo nuk guxon të bëjë dallim mes qytetarëve në bazë partiake, etnike, fetare ose të ndonjë përkatësie tjetër.

GJYKATAT medoemos duhet të jenë të drejta dhe të çlirohen plotësisht nga ndikimi i politikës.

Në marrëveshjen e re politike për Maqedoninë e Re, maqedonasit dhe shqiptarët duhet të merren vesh që shteti shumetnik të vërehet që nga përfaqësimi më i lartë i shtetit e deri në sferat më të ulëta të shoqërisë..

 

Në emër të barazisë, BESA synon që Maqedoninë ta ripërkufizojë me kushtetutë të re, me preambulë të re, si dhe me simbole te reja shtetërore, që e reflektojnë gjendjen shoqërore në Maqedoni.

Besa angazhohet për një kushtetutë të paqes, mirëqenies dhe harmonisë ndëretnike, e cila edhe do të duhet të hartohet në kushte të paqes, përballë kushtetutës së vitit ’91 dhe asaj të vitit të vitit 2001, si edhe MO-së, të cilat janë produkte të hartuara nën trysninë e luftërave civile e kombëtare.

Besa angazhohet për një kushtetutë, e cila do të përpilohet si rezultat i nevojave dhe problemeve që i kemi si shoqëri, e jo i një kushtetutë e cila do t’i shërbejë vetëm një kombi për të pasur një shtet nacional.

 

2. Sundimi i ligjit

Etablimi i shtetit ligjor është i domosdoshëm dhe një parakusht thelbësor, pa të cilin nuk mund të fillohet asnjë punë tjetër në ndërtimin e konceptit të ri shtetëror. Qytetarët e këtij vendi medoemos duhet ta ndjejnë sigurinë juridike dhe drejtësinë në përgjithësi, që të mund të besojnë se një koncept i tillë mund të zhvillohet në një vend çfarë është Maqedonia, ku besimi mes kombeve të ndryshme është në nivel shumë të ulët.

Prandaj ne insistojmë të krijojmë një mekanizëm që e pamundëson keqpërdorimin etnik, politik e religjioz të gjyqësorit.

Shteti ligjor me gjyqësinë, prokurorinë dhe me të gjitha mekanizmat juridike që i posedon duhet jetë i përkushtuar ta mbrojë drejtësinë në parim dhe jo të jetë në shërbim të favorizimit të ndonjë kombi, religjioni ose subjekti politik. Kjo, në fakt, është parakushti themelor për sundimin e ligjit dhe të shtetit ligjor.

 

2.      Marrëveshja e Ohrit

Për neve Marrëveshja e Ohrit është një marrëveshje e dobishme, e cila është menduar të jetë një kornizë e avancimit të të drejtave të komuniteteve, fuqizimit të shtetit shumetnik dhe, ç’është e vërteta, ka dhënë disa efekte pozitive, por ajo asnjëherë nuk ka arritur ta japë efektin themelor për çka edhe është miratuar – ndërtimin e një shteti koheziv dhe të suksesshëm.

Meqë afati i saj ka skaduar dhe ajo e ka dhënë atë që ka mundur ta japë dhe më shumë se kaq nuk mundet, ndërsa faktet në terren flasin se edhe në vitin 2013 ne kemi shumë plagë të hapura nga konflikti i vitit 2001 (besimi mes qytetarëve është minimal, sidomos mes atyre shqiptarë dhe maqedonas, problemet e natyrës etnike janë të shumta, përfaqësimi adekuat etnik në administratë nuk është arritur, në vijë vertikale të funksioneve vitale shtetërore shqiptarët dhe përfaqësuesit e kombeve tjera ende nuk kanë qasje, kurse në funksionet e tjera përfaqësimi është minimal), kujtojmë se është koha kur duhet të ulemi të bisedojmë hapur dhe pa presionin e luftimeve për një marrëveshje tjetër, që ka për qëllim një shtet të përbashkët, i cili do të jetë i barabartë dhe i drejtë për të gjithë

 

3.      Marrëdhëniet me fqinjët

Koncepti ynë për marrëdhëniet e shtetit me fqinjët bazohet në fqinjësi të mirë dhe në zgjidhjen e të gjitha problemeve eventuale mes Maqedonisë dhe fqinjëve të saj.

Maqedonia duhet t’u prijë marrëdhënieve të mira me fqinjët. Ajo nuk duhet të lërë asnjë çështje të pazgjidhur në këtë drejtim, madje duhet të krijojë kanale të dialogut, që do të mundësojnë zgjidhjen e problemeve eventuale, të cilat do të paraqiten mes tyre edhe në të ardhmen.

Ne angazhohemi që të përmirësohen komunikimet infrastrukturore mes fqinjëve të Maqedonisë, kufijtë mes tyre të hiqen dhe të jenë si ata në BE, që kështu të avancohet bashkëpunimi tregtar, rritja e tregut të përbashkët dhe krijimi i zonave të lira të përbashkëta ekonomike.

 

4.      Mërgata

Synimi ynë është që numri i atyre që braktisin vendin për shkaqe socio-ekonomike të zvogëlohet në minimum. Ne do të mundohemi që në Maqedoni të krijojmë kushte të mira për jetesë për shqiptarët, por edhe për të gjithë qytetarët, ndërsa atyre që janë jashtë vendit t’u mundësojmë kthim në vatrat e tyre, qoftë përmes investimeve në Maqedoni, që do të kishte efektin e dyfishtë – edhe të kthimit të mërgatës edhe të ngritjes së investimeve dhe hapjen e vendeve të punës, ndërsa për ata që nuk mund të kthehen për të jetuar, atyre t’ua vlerësojmë kontributet që vijnë prej tyre. Kjo do të bëhej kur për secilin vit do t’i bëjmë transparente të dhënat e remitencave që hyjnë në vend nga bashkatdhetarët tanë.

Ne synojmë që Maqedonia të ndërtojë politikë të paanshme dhe inkluzive ndaj të gjitha kombeve të Maqedonisë që jetojnë jashtë vendit.

 

5.      Integrimet

Reformat sistemore në parim do të ndërmerren për qëllime të brendshme, që shteti të stabilizohet e më pas të zhvillohet, por më pas të njëjtat do të kenë efektin e tyre për integrimin e vendit në BE e NATO. Pra, këto ndryshime nuk do të bëhen vetëm sa për të qenë edhe një anëtar plus në këto asociacione, por kjo para se gjithash duhet të bëhet, sepse është nevojë e shoqërisë sonë për ngritjen e standardit dhe cilësisë së jetës në përgjithësi për të gjithë qytetarët e saj.

Ne gjykojmë se integrimi në BE dhe në NATO është strategjia më e rëndësishme për ardhmërinë e vendit. Në saje të këtij integrimi do të garantohet më mirë siguria dhe stabiliteti i Maqedonisë (si anëtare e NATO-s), me çka do të mundësohen edhe investime dhe zhvillim ekonomik dhe në saje të këtij integrimi do të fuqizohet barazia, sundimi i ligjit dhe rritja e mirëqenies së të gjithë qytetarëve (si anëtare e BE-së).

Kemi bindje se kjo rrugë është alternativa më e mirë për të ardhmen e shtetit dhe të gjithë qytetarëve të saj. Në kuadër të këtyre proceseve do ta kemi shumë më lehtë t’i bëjnë të gjitha reformat e tjera që janë paraparë edhe me platformën tonë, sepse ato janë në përputhshmëri me kërkesat e BE-së dhe NATO-s.

 

6.      Kontestimet dhe diplomacia e shtetit

Parakusht për zgjidhjet e kontestimeve që i ka Maqedonia me fqinjët, siç është problemi i emrit me Greqinë, i Kishës me Serbinë dhe i kombit e gjuhës me Bullgarinë, duhet të jetë në harmonizim me të gjitha kombet e saj brenda për interesat shtetërore

Shqiptarët dhe kombet e tjera, së bashku me maqedonasit, duhet të krijojnë strategji të politikës së jashtme të shtetit, por edhe shteti duhet ta pranojë rolin e rëndësishëm që kanë komunitetet në Maqedonia. Si e para, në Maqedoni duhet të krijohen dy identitete të dallueshme mes vete: identiteti kombëtar, të cilin maqedonasit mund ta quajnë maqedonas dhe shqiptarët e të tjerët ta pranojë si të tillë, si edhe shqiptarët që do ta gëzojnë identitetin e tyre kombëtar – shqiptar, dhe, e dyta, mbi të të krijohet një identitet shtetëror, që do të jetë emërtim për të gjitha komunitetet, i cili do të shprehë identitetin shtetëror të të gjithëve, por nuk do të jetë i njëjtë me asnjërin identitet kombëtar të kombeve në Maqedoni.

Ne do të angazhohemi të krijojmë një konsensus për krijimin e një strategjie për politikën e jashtme të Maqedonisë që në listën e prioriteteve të ketë interesat e të gjithë qytetarëve e më pas edhe problemet e komuniteteve të tjera në vend. Një shembull më i mirë është konsensusi për integrimin e Maqedonisë në BE dhe në NATO, i cili është një interes i të gjithë qytetarëve.

Në aspektin e partnerëve strategjikë, Maqedonia duhet të kultivojë marrëdhënie të mira me SHBA-të dhe BE-në, si fuqi globale dhe faktorë shumë të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare. Maqedonisë i duhet një partneritet i tillë, i cili përveç kësaj do i ndihmonte shtetit edhe në aderimin në NATO, por edhe në BE.

Maqedonia medoemos duhet t’i zgjidhë sa më shpejt kontestet që i ka me fqinjët dhe të jetë ajo e cila do të jetë burim i dialogut dhe i krijimit të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me të gjitha shtetet që na rrethojnë.

Meqë Maqedonia nuk ka asnjë kontest me shqiptarët, ajo duhet ta shohë Shqipërinë dhe Kosovën si partnerët më të rëndësishëm rajonalë.

Maqedonia duhet të punojë më fuqishëm për integrimin e saj në NATO dhe BE, qoftë për arsye të sigurisë, por edhe për shkak të zhvillimit të mbarë të vendit dhe avancimit të vlerave pozitive në këtë vend.

 

7.      Sistemi zgjedhor dhe demokracia

Sistemi zgjedhor, të cilin ne do ta synojmë, duhet të përputhet me parimet tona bazë të konceptit shtetëror. Ne do të kërkojmë sistem zgjedhor, i cili do të mundësojë të pasqyrohet realiteti shoqëror në Kuvend. Ky sistem do të përpunohet sipas një ekspertize të vendit dhe ndërkombëtare, e cila do të jetë e liruar nga tendencat për shtrembërimin e realitetit shoqëror dhe nga ato për dominim etnik.

Ne angazhohemi edhe për ndarjen e re të njësive zgjedhore, duke dashur të eliminohet dallimi në numrin e votuesve, por edhe të respektohen specifikat shoqërore.

Synimi jonë është që zgjedhjet të prodhojnë përfaqësim politik sa më autentik të gjithë shtetit në Kuvendin e Maqedonisë.

 

8.      Decentralizimi për zhvillim

Ne do të kërkojmë ligj të ri për ndarjen territoriale të Maqedonisë. Ligji i ri do të duhet të miratohet në përputhshmëri me sistemin e ri politik të vendit, ku ndarja do të marrë parasysh edhe shtrirjen kombëtare të popujve të Maqedonisë, por megjithatë, në thelb ai do të mbështetet mbi parimin zhvillimor, sepse nevojat e qytetarëve janë të njëjta pa dallim kombi ose përkatësie tjetër: ata të gjithë kanë nevojë për rrugë të mira, ujësjellës e kanalizim, urbanizim e hapësira të gjelbra, fusha të sportit e kushte tjera të cilat janë të mira publike për të gjithë qytetarët.

Qëllimi bazë i njësive të qeverisjes lokale do të jetë që ato të jenë më afër qytetarëve, t’u ofrojnë shërbime më efikase, të ndërtojnë infrastrukturë më të mirë, të kenë administrim të suksesshëm dhe të jenë të orientuara drejt zhvillimit ekonomik dhe të ngritjes së standardit jetësor. Decentralizimi, për ne, nënkupton edhe decentralizim ekonomik dhe financiar, sepse vetëm ashtu realizohet mundësia që përmes tij të kemi zhvillim të njësive të qeverisjes lokale.

Procesi i decentralizimit patjetër duhet të lirohet nga politizimi etnik, nacionalizmi dhe partizimi i skajshëm dhe të jetë i prirë drejt zhvillimit ekonomik.

 

9.      Siguriа

BESA synon të krijojë në Maqedoni që do të jetë e dobishme edhe në aspekt të sigurisë politike, ekonomike, kulturore e sociale, por edhe të sigurisë në kuptimin më të ngushtë – të sigurisë së jetës dhe të qarkullimit të lirë. Kjo do të arrihej kur të eliminohen politikat diskriminuese e njëetnike shtetërore që e kanë sjellë shtetin deri në këtë situatë. Duke e bërë shtetin të tillë, të gjithë qytetarët do ta ndjejnë atë si të vetin dhe, anasjelltas, edhe shteti do të jetë i drejtë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim etnie, religjioni, partie ose përkatësie tjetër, duke e garantuar sigurinë e tyre. Përpjekja jonë politike në këtë drejtim do të jetë që t’i eliminojë të gjitha format dhe mekanizmat që kanë sjellë deri te ajo që shteti ta konsiderojë një popull ose një bashkësi tjetër të vendit të tij si rrezikun më të madh të vendit.

 

10. Konsensusi kombëtar, shoqëror dhe politik

BESA angazhohet që programi i saj politik të jetë në kohezion me të gjitha forcat progresive kombëtare shqiptare, qoftë në Maqedoni, por edhe jashtë. Duke e parë kombin shqiptar si pjesë të tërësisë kombëtare, BESA synon që ta gjejë zgjidhjen më të favorshme për çështjen shqiptare në Maqedoni, ndërsa këtë e projekton në këtë program politik.

BESA do të angazhohet që përkitazi me çështjet që i ka ngritur, përmes një debati të gjerë shoqëror, të krijojë një konsensus të përgjithshëm shoqëror se kjo është rruga e vetme e prosperitetit të Maqedonisë dhe e të gjithë qytetarëve në të.

Që të eliminohen të gjitha mundësitë e diskriminimit, BESA do ta instalojë parimin e konsensusit edhe në politikë. Duke u ngritur mbi parimin e barazisë dhe drejtësisë, BESA nuk do të lejojë që dikush ta mbivotojë dikë për favore të tij. Këtë do ta bëjë duke krijuar mekanizma që i mbrojnë komunitetet joshumicë në vend. Dhe, kjo do të duhej të aplikohet që nga formimi i Qeverisë, zgjedhja e Presidentit në Parlament, Këshilli i Lartë i Gjyqësisë, por edhe në të gjithë çështjet e legjislacionit që mund t’i prekin komunitetet joshumicë në vend.

 

10. Liria e shprehjes

Liria e shprehjes është e drejtë elementare njerëzore që është garantuar edhe me konventa ndërkombëtare dhe zakonisht është një nga indikatorët më të rëndësishëm në një shoqëri për arritjen e shkallës së demokracisë dhe lirive e të drejtave njerëzore.

Ne konsiderojmë se për ta realizuar këtë të drejtë nuk duhet asnjë intervenim në kushtetutë, por ajo që është thënë aty thjesht duhet të implementohet. Për këtë kërkohet këmbëngulje dhe vullnet politik.

Mediat duhet të jenë gjithnjë ndërmjet pushtetit dhe popullit dhe ta informojnë për veprimtaritë e pushtetit dhe subjekteve të tjera në shoqëri, me qëllim që secili qytetar të jetë i informuar drejt dhe më pas ai vetë të sjellë vendim për aktivitetin e tij në shoqëri ose, eventualisht, për marrjen e vendimit për besimin e votës në zgjedhjet e radhës.

Sipas nesh, mediat duhet të jenë plotësisht të lira dhe të paanshme.

Nuk mund të kemi shoqëri të shëndoshë dhe të zhvilluar nëse çdo qytetar nuk ndjehet i lirë ta shprehë mendimin e tij dhe të jetë kritik ndaj fenomeneve publike.

 

II. SISTEMI EKONOMIK DHE INFRASTRUKTURA

1.      Parimet bazë dhe angazhimi

Parimi ynë bazik në drejtim të politikave ekonomike do të përqendrohet te ndërtimi i institucioneve bazike ekonomike që do sigurojnë ekonomi funksionale të tregut dhe alokim efikas, efiçinet e të drejtë të resurseve në nivel nacional.

SISTEMI EKONOMIK duhet të prodhojë EKONOMI FUNKSIONALE për të cilën do të angazhohemi. Kjo ekonomi funksionale më pas duhet të krijojë parakushte për ZHVILLIM EKONOMIK të vendit. Në veçanti do të angazhohemi për zhvillim të industrisë, energjetikës si dhe sektorëve të tjerë mjaft të rëndësishëm, si bujqësia, blegtoria, pylltaria dhe peshkataria.

Duke e konstatuar se problemi më i madh ekonomiko-shoqërorë është PAPUNËSIA, ne do të kujdesemi që politikat aktive ekonomike të jenë në funksion të zbutjes së këtij problemi kyç. Në këtë drejtim, por edhe duke mëtuar me çdo kusht zhvillimin ekonomik, ne do t’i orientojmë të gjitha politikat ekonomike në:

  • politikat fiskale (përfshi këtu edhe decentralizimin fiskal, duke e trajtuar jo vetëm numerikisht, por edhe në aspekt cilësorë.
  • politikat monetare (në funksion të zhvillimit ekonomik)
  • politikat agrare (të orientohen kah produktiviteti, cilësia dhe nga efekti eksportues)
  • politikat e sektorit të tregtisë se jashtme (eksporti-importi),
  • politikat e zhvillimit të infrastrukturës ekonomike (energjetika, transporti, telekomunikacioni, sistemet e ujitjes etj)
  • politikat mjedisore (ekologjia) dhe,
  • politikat e ekonomisë publike (resurset publike, privatizimi, partneritetet PPP, koncesionet, rregullimi i sektorit publik,…)

 

2. Zhvillimi urban dhe planifikimi hapësinor

Një nga parimet në politikat tona do të jetë pa dyshim edhe urbanizimi dhe planifikimi hapësinor.

Ne do të synojmë që sa më shpejt të urbanizojmë hapësirën nëpër qytetet dhe fshatrat e vendit.

Qytetarët e Maqedonisë duhet të jetojnë në hapësira të urbanizuara, pa marrë parasysh se a jetojnë në fshat ose qytet dhe pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike e religjioze.

Secili qytetar duhet ta ketë të evidentuar pronën e tij në listat e pronësisë, ta ketë vendbanimin e tij të urbanizuar me plan urban gjeneral dhe të detajuar.

Secili qytetar duhet të ketë ujësjellës, kanalizim, rrugë të asfaltuara, ndriçim publik, shërbime komunale higjienike, parking, gjelbërim, qasje në internet dhe, në përgjithësi, kushte të barabarta dhe të volitshme për zhvillim të një jete të dinjitetshme.

Në këtë drejtim, politikat shtetërore nuk guxojnë të jenë diskriminuese dhe as me dallime për etni të caktuara – ato edhe në planifikimet urbane duhet ta reflektojnë realitetin shoqëror të Maqedonisë.

 

3. Politikat agrare dhe ujërat

Maqedonia patjetër duhet të distancohet dhe ta braktisë politikën shtetërore diskriminuese edhe në aspekt të politikave agrare dhe politikat e tilla në raport me ujërat, sepse ato janë dëshmuar si shumë të dëmshme, jofunksionale dhe diskriminuese për qytetarët e saj.

Në drejtim të politikave agrare ne do të synojmë që qytetarët të stimulohen me subvencione nga shteti që t’i punojnë tokat e tyre dhe të merren me blegtori, por duke mos diskriminuar asnjë komb.

Politikat tona agrare do të jenë të orientuara drejt zhvillimit të prodhimtarisë së produkteve bujqësore, drejt përmirësimin të kualitetit të këtyre prodhimeve dhe drejt rritjes së mundësisë për plasman ndërkombëtar të këtyre prodhimeve.

Në aspekt të politikës së administrimit me ujërat, do të angazhohemi që sistemi i ujësjellësit të shpërndahet në tërë territorin e Maqedonisë, e më pas edhe në krijimin e sistemeve për ujitje në funksion të politikave agrare.

Kujdesi ndaj ujërave do të jetë ndër prioritetet tona bashkë me ruajtjen e ambientit dhe hapësirave të gjelbra.

Në këto fusha politika shtetërore nuk guxon të jetë diskriminuese dhe në favor të ndonjë etnie, por angazhimi maksimal do të jetë që të gjithë qytetarët në këtë drejtim të jenë të barabartë.

Të gjithë qytetarët e këtij vendi meritojnë dhe duhet të kenë një jetë të dinjitetshme me të ardhura të nevojshme për mbulimin e harxhimeve elementare për jetë, banim dhe veshmbathje. Duke krijuar kushte të barabarta për zhvillim në secilin rajon e qytet, do t’u japim mundësi edhe biznesmenëve vendorë t’i ngrenë kapacitetet e tyre ekonomike dhe të krijojnë vende të reja të punës.

 

 

 

III. ARSIMI DHE SHËNDETËSIA

1.      Arsimi

Arsimi dhe edukimi do ta kenë vendin themelor në veprimin tonë politik. Në këtë drejtim, duke ngritur cilësinë e shkollimit, ne do ta evitojmë çdo mundësi të implikimit partiako-politik në arsim.

Ne kujtojmë se arsimimi i të gjithë qytetarëve, pa diskriminime, para së gjithash shkon në dobi të shtetit: bie kriminaliteti, shtohet fuqia e punës, emancipohet qytetari, rritet profesionalizmi dhe, në përgjithësi, shteti është më i suksesshëm.

Tërë sistemi duhet të zhvillohet që si efekt përfundimtar ta ketë krijimin e substratit të volitshëm për mbjelljen dhe zhvillimin e kushteve më të mira për edukim, arsimim dhe zhvillim kulturor të të gjithë qytetarëve në vend.

Ky arsim detyrimisht në fokus duhet ta ketë qytetarin e Maqedonisë, pa marrë parasysh përkatësinë kombëtare, religjioze ose kulturore, ndërsa si efekt përfundimtar duhet ta synojë qytetarin e edukuar moralisht, të pjekur intelektualisht dhe të formuar profesionalisht, që ai të jetë qytetar i dobishëm i shtetit.

Synimi ynë primar në aspekt të arsimit do të jetë ngritja e cilësisë dhe zhvillimi i politikave arsimore që do të jenë në frymën e zhvillimit të shoqërisë në aspekt moral, intelektual-shkencor, ekonomik dhe kulturor.

Duke e depolitizuar arsimin dhe duke e reformuar sistemin arsimor, do të krijojmë kushte që ai të ngrihet në cilësi shumë më lartë duke marrë drejtimin e duhur.

Shkollat dhe institucionet e tjera në këtë proces duhet të jenë në funksion vetëm të parimeve elementare njerëzore dhe në funksion të qëllimeve për çfarë janë menduar të funksionojnë – ente për edukimin, fisnikërimin dhe profesionalizimin e njerëzve.

Arsimi duhet të përshtatet me afirmimin e kulturave të veçanta, drejt krijimit të perceptimit se dallimet janë pasuri dhe trashëgimi, e jo elemente për ndarje dhe konflikte.

Studimet universitare duhet të sistemohen dhe riorganizohen në drejtim të ngritjes së cilësisë dhe në drejtim të plotësimit të nevojave të shtetit për kuadro të caktuara.

Synimi jonë është që arsimimi të zhvillohet konform nevojave zhvillimore që do t’i ketë Maqedonia.

Në këtë kontekst, ne kujtojmë se edhe lënda e Mësim-besimit ose Etika e religjioneve është një lëndë që e ndihmon edukimin e gjeneratave të reja, por ajo duhet të jetë në funksion të respektit dhe mirëqenies ndëretnike e ndërfetare në Maqedoni. Për këtë arsye shteti do të merret seriozisht me silabuset e kësaj lënde, që ajo t’i shërbejë dashurisë dhe fisnikërimit të jetës së qytetarëve të saj.

2. Shëndetësia

Në aspekt të shëndetësisë para së gjithash duhet të eliminohen shpërfaqjet e diskriminimit që hasen në sistemin shëndetësor.

Ne angazhohemi që para institucioneve shëndetësore të gjithë të trajtohen si pacientë pa marrë parasysh përkatësinë e tyre kombëtare a religjioze. Secili qytetar i Maqedonisë duhet të ketë sigurim shëndetësor.

Qytetarëve medoemos duhet t’u ofrohen shërbime sa më kualitative dhe sa më të kapshme për standardin jetësor, në të cilin gjendet shteti ynë.

Ne angazhohemi që shteti për disa vite me radhë të investojë në modernizimin dhe avancimin e shëndetësisë publike, që qytetarët të fillojnë ta ndjejnë dobinë e sigurimit shëndetësor që e paguajnë gjithë jetën e tyre.

 

IV. KULTURA, POLITIKAT SOCIALE E TRASHËGIMORE

1. Kultura

Politikat tona do të jenë insistuese dhe këmbëngulëse që jeta kulturore të pasurohet dhe të zhvillohet në të gjitha sferat e shoqërisë.

Kultura etnike, qytetare, politike, urbane etj., do të stimulohet dhe do të jetë prioritet politik bazik i angazhimit tonë.

Do të përqendrohemi që të krijojmë kushte që secili komunitet etnik a kulturor të ketë mundësi ta zhvillojë jetën e tij kulturore dhe ta avancojë identitetin e tij etnik ose kulturor.

Synimi jonë do të jetë që përfundimisht kultura shtetërore të jetë shtetërore, pra mbietnike dhe shumetnike, ndërsa kulturat etnike të jenë pasuri e thesar i çmuar i shtetit, në mënyrë që të pengohet diskriminimi dhe pabarazia.

2. Religjioni

Shteti në të gjitha dimensionet duhet të jetë shekullar, ndërsa bashkësitë fetare dhe grupet religjioze duhet të jenë të gjitha të barabarta para tij.

Shteti duhet të krijojë kushte që të gjithë qytetarëve t’u garantohet liria e besimit fetar, shprehja e lirë dhe publike e fesë, individualisht ose në bashkësi me të tjerët, natyrisht derisa nuk bien ndesh me normat juridiko-kushtetuese të shtetit të synuar.

3. Familja

Po ashtu edhe familjen do ta trajtojmë dhe do ta vlerësojmë lart. Ajo do të  jetë forca lëvizëse mbi të cilën do t’i mbështesim politikat tona sociale, të cilat do të jenë të orientuara drejt mbrojtjes dhe mbështetjes së familjes që janë forca e komunitetit tonë dhe ndërtuesit e të ardhmes sonë.

Ne do ta luftojmë çdo përpjekje për dhunë dhe diskriminim në familje dhe diskriminim të fëmijëve.

Do t’i respektojmë të gjitha konventat për fëmijët dhe do të stimulohen politikat e shtimit të popullsisë, por asnjëherë në kurriz të ndonjë kombi ose komuniteti tjetër (siç ka ndodhur në Maqedoni në vitin 2009 me ligjin që stimulonte natalitetin e maqedonasve).

Shteti duhet të jetë një përkrahës i fuqishëm i familjes duke subvencionuar natalitetin, por edhe duke krijuar një bazë të mirë administrative për krijimin e kushteve më të mira jetësore të këtyre familjeve.

4. Gruaja

Në Maqedoni, për fat të keq, ende hasen stereotipa gjinore, që e përjashtojnë femrën nga jeta publike shoqërore.

Prandaj ne angazhohemi që gruaja të jetë pjesëmarrëse në të gjitha fushat e jetë shoqërore. Ndonëse konsiderojmë se edukimi i mirë i vajzave dhe grave është edukim i një familje të suksesshme, përsëri kujtojmë se shteti duhet të krijojë kushte që familja të mos jetë pengesë për inkuadrimin e gruas në jetën shoqërore.

Do të angazhohemi që pozita e gruas të jetë e tillë që të mos vërehet intervenimi shtetëror në avancimin e rolit të gruas në shoqëri.

5. Politikat sociale

Ne mëtojmë drejt krijimit të politikave sociale, që do të jenë të orientuara kah shndërrimi i sistemit politik në një sistem i cili vërtet do të kujdeset për mirëqenie sociale. Në këtë drejtim duhet të zhvillohen edhe politikat e intervenimit shtetëror në aspektin e mirëqenies sociale.

Ne angazhohemi që shteti të sigurojë patjetër një jetë të dinjitetshme për të gjithë qytetarët, e sidomos për rastet sociale, që nënkupton sigurimin e kushteve elementare për jetë (kulm mbi kokë me kushte të mira banimi sipas standardeve ndërkombëtare, ushqim dhe veshmbathje, transport dhe shëndetësi publike, shkollim publik të siguruar etj.).

Politika bazë sociale e Lëvizjes BESA do të jetë e orientuar drejt sigurimit të kush­teve elementare për secilën familje dhe drejt sigurimit të kushteve për një jetë të di­nji­tet­sh­me të secilit individ në shoqëri.

Maqedonia duhet të jetë një shtet i sigurt në aspektin so­cial: çdo familje dhe individ duhet t’i ketë të siguruara kushtet elementare për jetë.

6.      Rinia dhe sporti

Ne do të angazhohemi që të eliminohen të gjitha format e diskriminimit në jetën sportive dhe rinore dhe do të angazhohemi për zhvillim të sportit dhe që jeta rinore të çlirohet nga të gjitha paragjykimet etnike, politike e religjioze.

Ne do të angazhohemi për shtet në të cilin investohet në zhvillimin e të gjitha sporteve dhe që ka për synim të krijojë kuadro sportive edhe për gara të suksesshme ndërkombëtare. Për këtë qëllim do të angazhohemi që shteti të sigurojë kapacitete të rëndësishme që do të jenë parakusht për zhvillimin e sportit.

Ne do t’i kushtojmë vëmendje të veçantë jetës rinore, duke dhënë mundësi për organizimin e saj, për krijimin e mundësive të barabarta për të rinjtë, si dhe për zhvillimin e kreativitetit rinor.

Prandaj do t’i luftojmë pa kompromis të gjitha format e devijimeve që mund ta përfshijnë rininë, si delikuenca, duhani, alkoolizmi, narkomania, kriminaliteti etj.