besa

Lëvizja Besa – Kumanovë reagon kundër parregullsive që po ndodhin kohëve të fundit për caktimin e termineve për nxjerrjen e dokumentacionit të udhëtimit (pasaporta), që ka shkaktuar kaos në procedurën e nxjerrjes së dokumentacioneve.
Kjo parregullsi më së shumti ju shkakton problem mërgimtarëve të cilët vijnë në vendlindje për pushime dhe njëkohësisht nxjerrin edhe dokumentet e udhëtimit në Republikën e Maqedonisë.

Mërgimtarët edhe pse lajmërohen në numrin e telefonit të caktuar nga MPB, dhe kërkojnë që termini të caktohet me procedurë të përshpejtuar që paguhen me çmim më të lartë, terminet jepen në afat kohorë prej 7 deri në 14 ditë gjë e cila ju shkakton probleme atyre për shkak të numrit të vogël të ditëve të pushimit.

Kërkojmë nga MPB që terminet që jepen me procedurë të përshpejtuar të mos zgjasin më shumë se 3 ditë pune për marrjen e pasaportës.
Duke pasur parasysh se të njëjtat parregullsi paraqiten çdo vit gjatë muajve të verës, nuk pèrjashtohet mundësia që kjo të jetë një nga metodat, në mesin e metodave të shumta të policisë maqedonase, për të ndikuar te mërgimtarët të heqin dorë nga dokumentet e udhetimit të Republikës së Maqedonisë, si fazë e parë për fshirjen e tyre nga lista e shtetasve të vendit tonë.

Këto parregullsi paraqesin edhe formë të volitshme që militantët e partive në pushtet të marrin ryshfet nga mërgimtarët, por edhe qytetarët tjerë, duke i “ndihmuar me lidhje” që sa më shpejtë të sigurojnë dokumentet e udhëtimit”.

Lëvizja BESA – Kumanovë     08.08.2017