emad mehmeti

Lëvizja BESA gjithnjë ka qenë dhe mbetet e përkushtuar kur në pyetje janë veçanërisht interesat e shqiptarëve të Maqedonisë. Në emër të këtij interesi jo rrallëherë e kemi tejkaluar vetveten dhe ua kemi shtrirë dorën e bashkëpunimit edhe atyre që preokupim të vetëm e kishin pushtetin.

Megjithatë, ishte vetë elektorati shqiptar ai që besoi në sinqeritetin tonë dhe maturinë politike i cili me mbështetjen masovike që na dha në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, na bëri që të jemi edhe më këmbëngulës dhe të pakompromis kur në pyetje janë interesat e shqiptarëve të Maqedonisë.

E, këto interesa vazhdojnë të shkelen edhe më tutje edhe me formimin e Qeverisë së re, të ashtuquajtur reformatore. Ndarja buxhetore dhe rishikimi i buxhetit dëshmoi se partitë politike në pushtet, popullin e konsiderojnë si pronë të tyre, e jo si sovran të cilit do të duhej t’i shërbenim për t’ua mundësuar një jetë të mirëqenë dhe dinjitetshme.

Kështu, derisa diskriminimi buxhetor vetëm sa vjen e thellohet ndërsa komunat shqiptare e pësojnë më së shumti nga kjo ndarje e pabarabartë, partitë shqiptare në pushtet, BDI dhe e ashtuquajtura Aleanca për Shqiptarë, përmes satelitëve të tyre përpiqen të tërheqin vëmendjen nga problemet reale me thirrje që më nuk u besojnë as ata vet.

Ali Ahmeti njëjtë sikurse manipuloi me tryezën ku u nënshkrua deklarata e përbashkët, me të njëjtën qasje përpiqet që të imponohet sërish përmes thirrjeve nga “satelitët e tij”.

Në vend të kësaj ftese, Ali Ahmeti fillimisht duhet të përgjigjet se çfarë ndodhi me Deklaratën e partive shqiptare? Cilat pika të këtij dokumenti u përfshinë në programin qeverisës? Pra, Ali Ahmeti, para se të na ftojë përmes “papagajve të tij”, fillimisht duhet të jep sqarime se pse edhe në prag të 100 ditëve të formimit të kësaj qeverie nuk kemi ligj për gjuhën shqipe?

Lëvizja BESA e përsërit qëndrimin se është e hapur për komunikim ndërparlamentar me partitë shqiptare në Kuvend dhe se nuk do të kursehet asnjëherë kur në pyetje janë interesat shqiptare. Por, me këto veprime të partive shqiptare në pushtet, një prej interesave më madhore kombëtare del të jetë se shqiptarët duhet t’i mbrojmë edhe nga Ali Ahmeti.

Shkup, 18.07.2017                                    Lëvizja BESA – Shkup