besaKonventa

 “Kredo e angazhimit tonë politik është një shoqëri me individë të edukuar, të arsimuar, profesionalisht dhe intelektualisht të ngritur, me jetë të pasur kulturore-shpirtërore, të prirë të krijojnë familje të shëndosha dhe që do të kujdesen për të mirën e njeriut dhe të ambientit që na rrethon. E mira ia fillon me individin, zgjerohet me familjen, ndërtohet me kombin, përhapet në fqinjësi e farefis dhe shtrihet në shoqëri.”

 

Të bindur se Republika e Maqedonisë, e themeluar gjatë Luftës së Dytë Botërore në ASNOM –në kushte të luftës dhe me synim që të ndërtojë një republikë federative, përfundimisht krijoi një subjekt asimetrik dhe dështoi në ndërtimin e një subjekti të ngritur mbi barazi, demokraci, drejtësi dhe zhvillim, gjë që u dëshmua me shpërbërjen e Jugosllavisë, ndërsa këtë e pësuan të gjitha kombet joshumicë në Maqedoni, e veçmas shqiptarët, si kombi i dytë më i madh në Maqedonim,

Të bindur se Republika e Maqedonisë, e themeluar në vitin 1991 – në referendumin e 8 shtatorit 2001, që po ashtu u krijua në kushtet e luftës që u shkaktua nga shpërbërja e RSFJ-së, vetëm e riinstaloi shtetin asimetrik dhe e sforcoi pabarazinë kombëtare, e fuqizoi shtetin njëetnik dhe e rriti presionin ndaj kombeve të tjera në vend, ku më së shumti pësuan shqiptarët, si kombi i dytë më i madh në Maqedoni,

Të bindur se edhe Republika e Maqedonisë – e rithemeluar pas konfliktit të vitit 2001, me arritjen e Marrëveshjes së Ohrit, e përsëriti shtetin asimetrik dhe rishtazi nuk arriti ta prodhojë një shtet mbi principe të barazisë, demokracisë, lirisë dhe synimit për zhvillim,

Sot përsëri shfaqet nevoja që kombet e Maqedonisë, në këtë rast dy kombet më të mëdha – maqedonasit dhe shqiptarët, por edhe kombet e tjera pakicë në Maqedoni, të merren vesh ta ndërtojnë një shtet të ri, që nuk do të jetë as si Maqedonia e ’45-tës, as si ajo e ’91-shit, as si ajo e 2001-shit, por do të jetë një shtet simetrik, që do të marrë parasysh realitetin shoqëror në Maqedoni dhe mbi parimin e lirisë, që duhet të manifestohet në të gjitha fushat e jetës – duke i marrë për bazë konventat ndërkombëtare mbi lirinë, mbi parimin e barazisë, që nënkupton barazinë kombëtare dhe qytetare, si dhe luftën kundër secilës formë të diskriminimit, mbi parimin e drejtësisë, që është parim themelor i funksionimit të mbarë të shtetit, mbi parimin e mirëqenies për të gjithë qytetarët e vendit, por edhe të luftës kundër korrupsionit dhe luftës kundër të gjitha veseve shoqërore, me një marrëveshje të re politike – të arritur në kushte të paqes, pa trysni, pa dhunë dhe pa presion, por të prirë nga vullneti për të krijuar një shtet të barabartë, të drejtë, të lirë, demokratik dhe të zhvilluar, ta rithemelojnë një shtet të ri, të cilin BESA do ta konsiderojë si Republikën e Re të Maqedonisë.

Prandaj ne jemi këtu që shqiptarëve të Maqedonisë, por edhe të gjithë qytetarëve të këtij vendi, t’ua ofrojmë edhe një koncept politik – Lëvizjen “BESA”, e cila në epiqendër të saj e ka para së gjithash njeriun shqiptar, por edhe secilin qytetar të Maqedonisë, si edhe shtetin në tërësi.

BESA synon ta ndryshojë sistemin e këtij shteti, ngase konsideron se janë të kota përpjekjet e atyre që marrin pjesë në pushtet me këtë sistem shtetëror dhe ashtu shtiren se po e përparojnë këtë shtet.
BESA është organizatë politike që synon të bëjë edukimin politik të shqiptarëve, por edhe të qytetarëve të tjerë në Maqedoni, BESA është organizatë politike që synon të ngrejë një debat të përgjithshëm intelektual për temat e ndryshme politike, ekonomike e të tjera në Maqedoni.

BESA është organizatë politike që synon ta sensibilizojë dhe alarmojë shqiptarin e Maqedonisë, por edhe secilin qytetar tjetër në këtë vend, për pabarazinë, padrejtësinë, mungesën e demokracisë dhe të lirisë në këtë vend.
BESA është organizatë politike shqiptare, që mbështetet në vlerat morale tradicionale kombëtare, në vlerat familjare dhe intelektuale, që përmes tyre ta artikulojë një mendim të ri politik shqiptar që aspiron një shtet ndryshe nga ky që e kemi sot.

BESA synon t’u japë zgjidhje problemeve reale të ngufatjes së shtetit.
BESA beson se me një rikoncpetim të shtetit mbi parametrat që janë dhënë në këtë projekt politik, do të kemi shqiptarë të barabartë dhe të dobishëm kundrejt shtetit dhe shtet më funksional dhe pozitiv ndaj të gjitha kombeve dhe ndaj të gjithë qytetarëve.

BESA vjen si nismë politike, që synon të instalojë një kod tjetër të perceptimit të shoqërisë, të shtetit, të pushtetit dhe, në përgjithësi, të menaxhimit me shoqërinë, i cili duhet të gëlojë nga vlerat universale të humanizmit.
BESA është betejë për liri, drejtësi, barazi, demokraci, mirëqenie dhe zhvillim.
BESA synon të jetë zëri i arsyes dhe ndërgjegjes në shoqërinë tonë.

BESA mëton që të krijojë klimë pozitive në raportet (intra)inter-etnike, inter-religjioze dhe inter-politike.
BESA është sinonim i premtimit që nuk tradhtohet me asnjë çmim se mirëqenia e njeriut është më e rëndësishme se secili pushtet i saj.

BESA është një vlerë e pakonsumuar shqiptare, e cila ka fuqinë të prodhojë mirëqenie edhe për shoqërinë tonë.

Ne e japim BESËN se me përkushtim e devocion do të angazhohemi pa u kursyer fare të  të jetësojmë  vlerat qytetëruese në vendin tonë, të përhapjes së tyre në rajon, dhe më gjerë.

Besa-Besë!
BESA është menduar të jetë organizatë politike që në qendër të vëmendjes së saj para së gjithash e ka njeriun shqiptar, pa e përjashtuar asnjë qytetar tjetër të Maqedonisë.

BESA është lëvizje që përshkruhet me tre A:

  • BESA është lëvizje AUTENTIKE – buron nga nevojat reale të shqiptarëve në Maqedoni;
  • BESA është lëvizje AUTOKTONE – që është krijuar nga kapacitetet vendore shqiptare në Maqedoni;
  • BESA është lëvizje AUTONOME – megjithëse është e hapur për bashkëpunim me të gjithë, ajo është lëvizje e pavarur, subjekt më vete, dhe nuk është filiale e asnjë subjekti të brendshëm a të jashtëm.