bilall kasami

Tash kur bëhen 100 ditë nga votimi i kësaj qeverie, Lëvizja BESA është këtu që sot të japë vlerësimin e punës së kësaj qeverie dhe ta paralajmërojë qëndrimin e saj në të ardhmen. Ndonëse ne ishim të përmbajtur në votimin e kësaj qeverie, sepse nuk deshëm që apriori ta paragjykojmë punën e saj, sot mund të gjykojmë se vendimi jonë ka qenë pak më shumë se optimist, sepse puna e deritanishme e kësaj qeverie na ka bindur për të kundërtën. Këtu më poshtë po i theksojmë vetëm disa nga “meritat” e kësaj qeverie:

  • Ashtu siç kishim drojë, kjo qeveri vazhdon me avazin e vjetër që, për hesape politike, ta dëmtojë interesin e qytetarëve. Tashmë nuk është lajm të thuhet se, njësoj si në qeverinë e kaluar, po vazhdon në mënyrë të njëjtë partizimi i institucioneve të shtetit dhe në vend të vlerësimit të profesionalizmit, vazhdon që byro e punësimit të jetë partia në pushtet, madje duke ndërhyrë edhe në institucione shkencore e arsimore;
  • Me rebalancin e buxhetit, që u miratua ndërkohë, edhe një herë u dëshmua se përsëri nuk erdhi në shprehje interesi i qytetarëve, por perceptimi i partive në pushtet për menaxhimin me financat publike. Në këtë mënyrë u dëmtuan në veçanti rajonet me shumicë shqiptare, qoftë duke lënë institucione arsimore në mëshirë të motit, qoftë duke hequr mjete financiare nga institucionet që drejtohen nga shqiptarët ose duke mos ndarë mjete për realizimin e projekteve të jetës elementare infrastrukturore të vendbanimeve shqiptare. Sa për ilustrim, nuk u pranua asnjë amendament i Lëvizjes BESA, as kur kishte të bënte për çështje ujësjellësi e kanalizimi, e të mos flasim për amendamente që kishin të bëjnë me tema të kulturës dhe shkencës.
  • Ishte tejet zhgënjyese dhe dëshpëruese që kjo shumicë qeveritare ka dhënë shenja se dëshiron ta godasë edhe familjen tradicionale të vendit tonë. Duke qenë parti konservatore, ne reaguam ndaj këtij fenomeni dhe e ngritëm zërin se për shqiptarët familja tradicionale si bashkësi mes dy gjinive të kundërta mbetet standardi i familjes sonë dhe çdo goditje e kësaj celule shoqërore do ta ketë përballë Lëvizjen BESA. Këtë e bëjmë jo vetëm për shkak të programit dhe platformës sonë politike, por aq më shumë për shkak të së ardhmes së brezave tanë, të cilëve nuk duam t’u lënë pas vetes këso telashe.
  • Edhe shkarkimi i Prokurorit Publik, për çka votuam edhe ne, për neve nuk ishte shenjë e mirë. Ndonëse ne tashmë disa vite e kishim drejtuar gishtin kah ai si kryefajtori i padrejtësive në Maqedoni, në arsyetimin për shkarkimin e tij u tha gjithçka, por jo arsyeja themelore – se ai ka promovuar drejtësi selektive etnike, veçanërisht ndaj shqiptarëve, duke lënë pas vetes raste që shqiptarët i kanë cilësuar si të montuara, siç është rasti famoz “Monstra”.
  • Këto ditë erdhi në Kuvend edhe propozim-ligji i a.q. i zyrtarizmit të gjuhës shqipe. Megjithatë, ashtu siç e kemi thënë edhe më herët, ky për neve është një propozim-ligj që ka ardhur si rezultat i synimit të partive në pushtet për të përfituar politikisht, por jo për ta zgjidhur njëmend çështjen e gjuhës shqipe në Maqedoni. Në të vërtetë, edhe ky ligj, ndonëse e avancon, e lë të pazgjidhur këtë problem dhe ky do të mbetet të zgjidhet në raste të tjera. Natyrisht, këto parti shqiptare që janë në pushtet, duke u kujdesur për rrënimin e familjes shqiptare, nuk mund të kujdesen njësoj edhe për zyrtarizmin e gjuhës shqipe.
  • Sot jemi 6 shtator, ndërsa kjo shumicë parlamentare dhe kjo qeveri vazhdon ta shkelë Kodin Zgjedhor, duke ia mohuar Lëvizjes BESA të drejtën e anëtarit të saj Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve. Kjo, përveçse shkelje, është edhe dëshmi se çfarë zgjedhje lokale na presin me këtë përbërje të KSHZ-së, që flet për qëndrimin e këtij pushteti karshi procesit zgjedhor.

Për fund do të duhet të theksojmë se deri tash jemi munduar të jemi maksimalisht konstruktivë, aq më shumë që kemi dashur ta respektojmë 100-ditëshin e parë të qeverisë, por tash e tutje Lëvizja BESA nuk do t’ia falë për asnjë moment kësaj shumice dëmet që ajo ua shkakton qytetarëve dhe, veçanërisht, manipulimin që e bën me shqiptarët e Maqedonisë.

Shkup, 06.09.2017                                                                 Lëvizja BESA – Shkup