emad mehmeti

“Sot në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve i dorëzuam 86 ankesa për procesin zgjedhor në Komunën e Çairit. Vetë ky numër flet se për çfarë procesi zgjedhor jokorrekt mund të flasim në këtë komunë. Ashtu siç deklaruan edhe zyrtarët e OSBE-ODIHR-it, që nga shkelja flagrante që bëri Kryeministri i vendit, duke nëpërkëmbur vullnetin politik të qytetarëve shqiptarë në komunat shqiptare, por edhe abuzimin që bëri ministri i Punëve të Brendshme, duke i përdorur zyrtarët policorë në favor të kandidatëve të LSDM-BDI-së në Çair dhe gjithandej në komunat ku garonin ata, gjithkund u pa se këtu nuk kemi pasur zgjedhje, por vetëm vjedhje.

Për shkak të numrit të madh të fletëvotimeve të pavlefshme, ne kemi dyshime serioze se manipulimi është bërë pikërisht në këto fletëvotime. Prandaj shumica e ankesave kanë të bëjnë me këtë pjesë. Përveç këtyre ankesave, ne kemi vërejtur edhe shkelje flagrante, si: blerje votash, shantazhime e kërcënime ndaj votuesve.

Pas kësaj lirisht mund të konstatojmë se procesi zgjedhor në Komunën e Çairit vetëm demokratik nuk ka qenë. Dhe, për këtë nuk janë përgjegjës vetëm ata që kryeministri i quante të inkriminuar, pra zyrtarët e BDI-së, por kjo i bën përgjegjës edhe vetë zyrtarët e Qeverisë, që nga kryeministri, ministri i Brendshëm e teposhtë.

Prandaj ne i bëjmë thirrje Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve që t’i rishqyrtojë këto ankesa dhe të vendosë në mënyrë të paanshme në favor të drejtësisë. Gjithashtu i bëjmë thirrje edhe bashkësisë ndërkombëtare që t’ia vë veshin këtyre ankesave, sepse ne nuk do të lejojmë që të na shkelet e drejta jonë. Ndërkaq ne nuk do të donim që të drejtën tonë ta kërkojmë në rrugë.
Me këtë rast u bëjmë thirrje edhe aktivistëve tanë që të jenë të qetë, sepse ne jemi duke i ndjekur të gjitha procedurat dhe nuk do të lëmë pa përdorë asnjë mënyrë deri në përmbushjen e drejtësisë. Ne nuk mund të lejojmë që askush të na e shkelë të drejtën tonë vetëm sepse nuk arrin të na fitojë në betejë politike demokratike”, – ka thënë Emad Mehmeti nga Lëvizja BESA para KSHZ-së.